Superliga vazhdon sot me tre takime interesante

Luhen këtë të hënë, në orën 15:00, tre ndeshjet e mbetura të javës së 6-të të IPKO Superligës së Kosovës, rezultatet e së cilës, gjithsesi, nuk do të sjellin ndryshim sa i përket skuadrës që do të kryesojë dhe asaj që do të mbyllë tabelën e klasifikimit pas kësaj xhiroje.

Një nga sfidat më të rëndësishme është pa dyshim Flamurtari – Llapi, me skuadrën nga Podujeva që ka ambicie të mëdha për titullin kampion. Një fitore e mundshme në këtë udhëtim do t’i ngjiste automatikisht llapjanët në vendin e katërt, me 2 pikë më pak se Feronikeli dhe Gjilani, por me pikë të barabarta me Dritën.

Një ndeshje e hapur do të jetë edhe ajo mes Ferizajt dhe Drenicës, pasi përballen dy skuadra me pozita thuajse të njëjta në renditje (skuadra nga Skenderaj ka 1 pikë më pak, 5). Fitorja 0-1 në fushën e Dukagjinit, pas 3 humbjeve radhazi, ka ndryshuar pozitivisht atmosferën në skuadrën e drejtuar nga Bekim Isufi. Është mjaft interesant fakti që Ferizaj dy fitoret që i ka marrë në këtë sezon i ka arritur në sfidat jashtë shtëpisë, kështu që duhet të thyejë një tabu: të sigurojë pikët e para si nikoqir.

Ndeshja e tretë e ditës është Ballkani-Vushtrria, takim në të cilin vendësit janë dukshëm favoritë. Ekipi nga Suhareka e shfrytëzon shumë mirë faktorin fushë, falë entuziazmit që përcjellin tifozët, kështu që për Vushtrrinë parashikohet një ndeshje e vështirë.

loading…