Xhiroja e dytë e IPKO Superligës së Kosovës në futboll pritet të sjellë duele mjaft interesante.
Kampioni aktual, Feronikeli do të ketë punë të vështirë këtë fundjavë pasi do ta vizitojë Therandën, ku e pret Ballkani.
Skuadra nga Drenasi llogaritë në fitoren e dytë, por vendësit do të tentojnë t’i mbajnë pikët në shtëpi.
Ndërkohë, Drita do të mundohet ta harrojë humbjen nga Ferizaj për ta shijuar fitoren e parë në shtëpi.
Gjilanasit do ta presin Flamurtarin, i cili megjithatë vjen me moral të lartë nga barazimi me Prishtinën.
Kjo xhiro do të jetë mundësi për ta parë forcën reale të Ferizajt, Trepçës ’89 e Gjilanit.
Ferizajasit e mposhtën Dritën në udhëtim dhe tash do të mundohen ta konfirmojnë formën e tyre në duel me Gjilanin e përforcuar.
Për gjilanasit kjo do të jetë një mundësi për t’u këndellur dhe për ta harruar humbjen e thellë nga 89-shi.
Kurse, “Xehetarët”, pas lojës spektakolare të fundjavës që shkoi, e vizitojnë fqinjin Vushtrrinë, në kërkim të fitores së dytë.
Nga ana tjetër, vushtrriasit, të mbështetur nga tifozët e tyre të zjarrtë, do t’i kërkojnë tri pikët e para sezonale.
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit është shtyrë për shkak të ruajtjes së fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen që do ta zhvillojë Kosova me Republikën Çeke më 7 shtator.
IPKO Superliga – Java e dytë
SSK1 E premte 17:00 Drenica – Llapi 3:0
SSK2 E shtunë 17:00 Ballkani – Feronikeli
SSK3 E shtunë 17:00 Ferizaj – Gjilani
SSK2 E diel 17:00 Vushtrria – Trepça ‘89
SSK3 E diel 17:00 Drita – Flamurtari
Prishtina – Dukagjini (është shtyrë)







