Superliga përfundon stinorin dimëror me tre ndeshje sot

Luhen këtë të hënë tre ndeshjet e fundit të javës së 17-të të Superligës së Kosovës, rezultatet e të cilave nuk mund të sjellin ndryshime të mëdha në renditje, megjithatë kanë rëndësi të madhe për objektivat e protagonistëve në fushën e blertë.

Skuadra e Ballkanit, e cila është pa dyshim surpriza e këndshme e këtij sezoni (kryeson me meritë) ka një shans të mirë për të thelluar distancën me ndjekësin më të afërt, Gjilanin (u ndal në barazim me Prishtinën), teksa do të jetë mysafirë në fushën e Vushtrrisë, që me perfomancat e deritanishme është skuadra e dytë, pas Dukagjinit, më e kuotuar për të rënë nga kategoria. Në rast suksesi, formacioni i drejtuar nga Ismet Munishi do të shkonte në pushimet dimërore me 5 pikë më shumë se Gjilani.

Në të njëjtën, orë, pra në 13:00, kampioni në fuqi, Feronikeli, pret në Drenas Dukagjinin, në një sfidë “të fituar” në letër, por ende jo në fushën e blertë. Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” presin me çdo kusht fitoren, që kampionët të mos largohen para kohe nga froni.

Në Skënderaj zhvillohet një përballje interesante mes Drenicës dhe Ferizajt, me skuadrën mike që kërkon revansh për humbjen e fazës së parë.

Vendasit synojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të qenë më afër skuadrave të kreut, ndërsa miqtë, që renditen të 10-tët duan pikë për mbijetesën, që mbetet objektivi primar.