Superliga i sjell tri ndeshje sot, vëmendja në Derbin e Anamoravës

Gjilani do të mundohet t’i prishë punë Dritës në garën e saj për titull, fitore dhe shkëputje sot kërkon Prishtina, e cila e viziton Besën

Superliga e futbollit rikthehet në mesjavë me ndeshjet e xhiros së 33-të.

Sot do të zhvillohen tri ndeshje në ligën elitare të futbollit kosovar.

Pa dyshim, vëmendja e të gjithëve do të jetë e kthyer kah Gjilani, ku do të zhvillohet Derbi i Anamoravës.

Gjilani nuk ka ambicie, por do të mundohet t’i prishë punë rivalit lokal në luftën e tij për titull të kampionit.

Sa herë që luajnë këto dy skuadra pritet një përballje e madhe, pa marrë parasysh objektivat që i kanë.

Andaj, edhe sot na pret një ndeshje e “nxehtë” në mes të “Skifterave” me “Intelektualët”.

Dritës i nevojitet gjithsesi fitorja për të mbetur në garë për titull të kampionit.

Në të kundërtën, kampioni aktual do të mbetej prapa.

Kjo pasi liderja e re, Prishtina llogarit në fitore ndaj Besës në udhëtim.

Me këtë rast, Bardhekaltrit duan ta ruajnë primatin, mundësisht deri në fund të sezonit.

Feronikeli – Trepça ’89 do të jetë duel direkt për mbijetesë.

E nesër do të zhvillohen dy ndeshjet tjera të kësaj xhiroje, Ballkani – Arbëria dhe Drenica – Llapi.