Bundesliga

Supergol i Xhakës, Leverkusen “marshon” në Bundesliga

Bayer Leverkusen nuk gabon në shtëpi dhe mposht Mainz 05 me rezultatin 2-1. “Aspirinat” e nisën ndeshjen në mënyrë të përkryer teksa ishte Granit Xhaka që realizoi në minutën e tretë.

Mesfushori me origjinë shqiptare realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca me topin që mori një trajektore të pakapshme për portierin kundërshtar.

Për t’u theksuar edhe festimi i Xhakës që u “shtir” sikur u dëmtua, për të zbuluar më pas se e gjitha ishte vetëm një mënyrë e të festuarit. Për Xhakën ishte edhe goli i parë me fanellën e Bayer Leverkusen.

Gjithsesi, miqtë reaguan shpejt dhe pas vetëm pesë minutash rikthyen baraspeshën me anë të Kohr që realizoi me kokë. Me shifrat e barabarta 1-1 u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga trajneri Xabi Alonso ishte më këmbëngulëse në tentativat për golin e dytë. Gol i cili mbërriti në minutën e 68 me Andrich. Mesfushori goditi nga distanca e largët, një goditje qëndrore, por që gjeti të papërgatitur portierin Zentner që gaboi rëndë.

Në minutën e 79, llogaritë e miqve morën një tjetër goditje pasi Ngankam la të tijtë me 10 lojtarë. Një ndërhyrje e gabuar ndaj Granit Xhakës nuk i shpëtoi sistemit VAR, duke detyruar arbitrin kryesor ta ndëshkonte me kartonin e kuq.

Përfundimisht ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Leverkusen, me “aspirinat” që “arratisen” në krye të Bundesliga-s me 61 pikë, momentalisht 11 më shumë se Bayern Munich i vendit të dytë. Sakaq, Mainz renditet në vendin e 17 me vetëm 15 pikë.

Ndërkohë, vijojnë rekordet në këtë sezon për skuadrën e Xabi Alonsos pasi aktualisht janë shndërruar në skuadrën gjermane me më shumë gola pas 33 ndeshjes, teksa deri më tani Leverkusen është në kuotën e 97 golave. Sakaq, vijon të mbeten e vetmja skuadër pa asnjë humbje në këtë sezon.