Fiorin Durmishaj do të luajë për kombëtaren greke, tashmë po ndodh diçka që në fakt nuk ishte e vështirë të parashikohej.
Sulmuesi 22-vjeçar i Panionios ka shkëlqyer edhe këtë sezon, me 6 gola në 22 ndeshje kampionati dhe nivel të lartë loje, ndaj federata greke ka bërë gjithçka për ta bindur të veshë fanellën e kombëtares helene.
Edhe vetë Durmishaj i kishte dhënë më kohë sinjalet, sepse ka luajtur deri te Shqipëria U21 dhe më pas për arsye të ndryshme ka shmangur debutimin zyrtar me kombëtaren e Panuccit, që nëse ndodhte e bënte “shqiptar” me detyrim.
“Fola para pak ditësh me Durmishajn, e pyetja nëse dëshironte të vinte në kombëtare dhe më tha “Po”, ndaj dëshiron të luajë këtu”, shprehet për mediat greke trajneri i Greqisë Angelos Anastiadis.
Drejtori Teknik i Ekipeve Kombëtare, Angelos Basinas, shprehet për këtë çështje: “Kemi biseduar me lojtarin dhe agjentin e tij dhe besoj se javën e ardhshme çështja do të mbyllet pozitivisht”.
Në këtë mënyrë, largohet një lojtar shumë i talentuar, që do të ishte një alternativë e shkëlqyer në sulmin kuqezi, ku Sadiku, Balaj e Vrioni mbeten zgjedhjet per sulmuesin “pykë”.







