Bayern kishte kryer vetëm një operacion në merkato këtë janar, duke blerë për 10 milionë euro sulmuesin 18-vjeçar Alphonso Davies nga Vancouver, ndërsa sot ka ardhur edhe shitja e parë e vitit.

Sandro Wagner ka lënë kampionët e Gjermanisë, për t’u transferuar në Kinë, tek Tianjin Teda, konfirmon klubi gjerman.

Sulmuesi 31-vjeçar u bashkua me Bayernin në fillim të vitit të shkuar, për 13 milionë euro nga Hoffenheim, ndërsa shënoi 8 gola në 14 ndeshje kampionati sezonin e shkuar.

Gjithsesi, Wagner ishte gjithnjë rezervë e Robert Lewandowskit dhe këtë sezon ka luajtur vetëm një herë titullar në kampionat, duke mos e gjetur golin. Në verë ai mori një goditje të rëndë psikologjike, duke mos u grumbulluar për në Kupën e Botës nga Gjermania, ndaj vendosi të largohej këtë janar, edhe pse në të shkuarën kishte refuzuar disa oferta nga Kina.

Tianjin Teda ka përfituar, duke i ofruar një kontratë 2-vjeçare me shifra të frikshme (7.5 milionë euro neto në sezon), ndërsa Bayern arkëton 5 milionë euro, duke humbur 8 milionë euro brenda një viti.

Në Kinë Wagner gjen trajnerin gjerman Uli Stielike, por edhe ish-shokun e ekipit tek Hertha, Felix Bastians.

Ndërkaq, Bayern ka Serge Gnabry, Thomas Muller dhe të riun Joshua Zirkzee si alternativa për Lewandowski në sulm.