Një penallti e vërshëllyer në minutën e fundit shtesë të takimit Kamza-laçi, në favor të skaudrës kurbinase, i ka kushtuar shtrenjtë gjyqtarit kryesor të ndeshjes Eldorjan Hamiti.
Tifozë e drejtues të Kamzës, në përfundimit të takimit vërshuan në fushë, duke sulmuar gjyqtarin kryesor dhe duke e goditur atë, pavarësisht ndërhyrjes së forcave të sigurisë.
Kjo ishte një ngjarje mjaft e rëndë, që rikthen Kategorinë Superiore shumë vite mbrapa, pasi nuk mbahej mend që kur nuk kishim parë të tilla skena, në ligën kryesore të futbollit shqiptar, raporton Top Channel.

Pas incidenteve të turpshme në përfundim të sfidës Kamza-Laçi, ku u dhunua gjyqtari kryesor, Eldorjan Hamiti, ka reaguar edhe policia e shtetit.
Sipas Top Channel, uniformat blu kanë vënë në pranga presidentin e klubit të Kamzës, Naim Qarrin, drejtorin sportiv të klubit A.M., shefi i klubit A.B. dhe një tifoz.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe disa tifozë të skuadrës së Kamzës, të cilët çanë rrethimin dhe sulmuan arbitrin Hamiti.
Ndaj të arrestuarve, por edhe atyre të shpallur në kërkim, rëndojnë akuzat “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishje e qetësisë publike”.
Sfida Kamza-Laçi përfundoi në barazim 1-1, ndërsa gjyqtari Hamiti dha një penallti në minutën e fundit shtesë për kurbinasit, gjë që nuk u pranua nga vendasit.











