Në mëngjesin e 24 shtatorit një grup terroristësh në krye me Milan Radojiçiq sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Si pasojë e sulmit rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua. Ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, ku edhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Terroristët ishte vendosur në Manastirin e Banjskës dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.
Në ditën e sulmit, autoritetet e Kosovës arrestuan disa sulmues, por shumica prej mbi 80 sish ikën nga vendi i ngjarjes. Tre të arrestuarit vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim në Kosovë deri më 24 shkurt 2024.
LEXO EDHE:
Vetëm dy ditë pas sulmit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka publikuar pamje nga brenda Manastirit të Banjskës, e ku shihet Milan Radojiçiq, që është edhe pjesë e Listës së Zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe nënkryetar i Listës Serbe, i cili pas sulmit në Banjskë dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Në tetor, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thënë se ka nisur hetimet për sulmin në Banjskë dhe se, aktualisht, është në proces të mbledhjes së informatave dhe dëshmive në lidhje me këtë rast.
Hetime paralele u paralajmëruan edhe nga Prokuroria e Serbisë, por nuk është e qartë nëse dy institucionet do të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.
Nga Bashkimi Evropian thanë se Kosova ka mandat për ta hetuar sulmin në Banjskë dhe se Serbia e ka obligim të bashkëpunojë me të, pa kushte.
Milan Radojiçiq i cili edhe mori përgjegjësin për sulmin, është kërkuar nga autoritetet kosovare që të ekstradohej. Mirëpo ky ekstradim do të ishte i mundur vetëm nëse Serbia do ta njihte Kosovën si shtet sovran dhe do të kishte marrëveshje ekstradimi me të.
Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) ka lëshuar fletarrestim për të.
Fletarrestimi për Radoiçiqin është lëshuar në dhjetor me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë. Radoiçiq është marrë në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe është akuzuar për kryerje të disa veprave përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd e ka liruar nga paraburgimi dhe ia ka konfiskuar dokumentet.
Armët që u gjetën në Banjskë
24 SUV, 1 automjet luftarak i improvizuar, 2 motoçikleta 4×4, 8 mina kundër personelit, 8 mina kundër tankut, 36 raketëhedhës M80 Zolja, 142 predha mortaje, 75 granata dore, 150 eksploziv dinamit, 5.5 kg eksploziv plastik, 20 kg eksploziv TNT, 9 granata pushke, 23 detonatorë elektrikë, 6 mitralozë, 1 hedhës nitroglicerine, 30 AK-47, 18 silenciatorë për AK-47, 235 karikatorë për AK-47, 6 automatikë me pamës, 3 pistoleta, 3 pistoleta me silenciatorë, 21 jelekë antiplumb, 15 dylbi nate, 1 dylbi nate termike, 3 dronë, 32 radiomarrës, 4 kamera, 5 palë këpucë taktike, 107 çanta ushtarake, 115 uniforma ushtarake, 10 mbulesa kamuflazhi ushtarake, 1 busullë ushtarake, 6 harta satelitore, 3 harta topografike, 1 telefon celular, 32 telefona të mençur, 23 maska, 20 kazma, 20 lopata, 8 sëpata, 3 motosharra, 4 sharra dore, 2 barela, 1800 kartëmonedha (euro & dinarë serb), ushqime dhe ilaqe, sasi e madhe municioni e kalibrave të ndryshëm.






Provat që publikoi Sveçla
Që nga 24 shtatori ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikonte dështim për sulmin terrorist në Banjskë.
Me 1 tetor ministri Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media kanë prezantuar pesë video ku shihet grupi terrorist duke kryer stërvitje në pronën e Radoiçiqit para sulmit të 24 shtatorit.
Më 8 tetor Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.
Më 14 tetor pas bastisjeve në shtatë lokacione në veri, Sveçla publikoi pamje nga armatimi që u gjet nga Policia e Kosovës e që ishte pjesë e arsenalit të Banjskës.
Në konferencën e fundit më 23 dhjetor ministri ka publikuar edhe foto ku tregohet rruga që është përdorur nga terroristët. Sveçla tha se janë tri konstatime që janë përforcuar çdo herë e më shumë gjatë zhvillimit të hetimeve.
LEXO EDHE:
Tutje, Ministri tha se sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga viti 2021 deri sot institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veri.




Kush ishin sulmuesit dhe çka synuan?
Tre muaj pas sulmit në Banjskë, Policia ka arritur të identifikojë 25 pjesëtarë të grupit paraushtarak serb, ndërkaq Inteligjenca ka identifikuar edhe 12 të tjerë. Në mesin e terroristëve të identifikuar është edhe njeriu që besohet se shtypi butonin për ta aktivizuar minën e kurdisur në barrikadë, nga e cila u vra polici Afrim Bunjaku. Imazhet dhe emrat e tyre i publikoi ministri Sveçla në një konferencë për media.
Zyrtarët kosovarë i quajtën ata “terroristë” dhe thanë se u organizuan nga udhëheqja e shtetit serb.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe, kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë”, shkroi Kurti në Facebook më 23 tetor.
Në të njëjtin postim, ai përmendi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e quajti “capo-di-tutti-capi” – një term që zakonisht përdoret për të përshkruar udhëheqësin kryesor të një mafie.
Ndërsa ministri Sveçla tha se me sulmin në Banjskë, Serbia tentoi ta aneksonte pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas tij, sulmuesit “u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe, brenda Serbisë”.
Çka u tha në Serbi?
Vuçiq tha se sulmin në Banjskë e kreu një grup i “serbëve të dëshpëruar lokalë” dhe akuzoi Kurtin për, siç u shpreh, “terrorizimin” e serbëve në veri të Kosovës.
Ai mohoi se Serbia ka gisht në ngjarjen në Banjskë dhe tha se do t’i bëjë hetimet e veta.
Ai paralajmëroi, po ashtu, se shteti serb do të ngrejë aktakuzë kundër Millan Radoiçiqit – politikan dhe biznesmen nga Kosova – i cili e pranoi përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur në Banjskë, por mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.
“Prokurori po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë”, tha Vuçiq më 11 tetor.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë edhe deklaratat e Kurtit për Klanin e pretenduar të Novi Sadit, duke thënë se ato kanë për qëllim “të shkatërrojnë çdo mundësi për qetësimin e tensioneve” në Kosovë.
Si reagoi komuniteti ndërkombëtar?
Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.
“I bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri”, tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, koordinator për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.
Thirrje të ngjashme bëri edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Vuçiq, në anën tjetër, bëri përpjekje ta sigurojë Perëndimin se nuk e ka ndërmend t’i urdhërojë forcat ushtarake ta kalojnë kufirin.
Dhe, pak ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë tha se Serbia ka nisur tërheqjen e trupave të saj nga kufiri me Kosovën.
Si përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO-ja rriti praninë e forcave të saj në kuadër të misionit KFOR në Kosovë.
Si nga BE-ja, ashtu edhe nga SHBA-ja thonë se janë tani në pritje të rezultatit të hetimeve të sulmit në Banjskë.
Si e ndikoi sulmi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?
Bashkësia ndërkombëtare u bëri thirrje të dyja palëve që të kthehen në rrugën diplomatike.
Për t’i bindur ato, përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë qëndruan më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd.
Emisarët perëndimorë paraqitën disa propozime dhe kërkesa konkrete para Kurtit dhe Vuçiqit, të cilat ata duhet t’i përmbushin brenda një afati “shumë të shkurtër”.
Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
Vuçiq tha se pret që dialogu të vazhdojë kah fundi i javës në Bruksel.
Dy udhëheqësit u takuan për herë të fundit më 14 shtator, dhjetë ditë para sulmit në Banjskë.
Rundi i pasuksesshëm i bisedimeve pasoi disa muaj tensione mes pakicës serbe dhe shumicës shqiptare të Kosovës.
Në qendër të tyre ishte politika e Qeverisë së Kosovës për të vendosur autoritet mbi të gjithë Kosovën.
Serbët e kundërshtojnë këtë dhe kërkojnë më shumë autonomi.
Si Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, insistojnë tani se dialogu duhet të vazhdojë vetëm pasi Serbia të sanksionohet për sulmin e 24 shtatorit.
“Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për t’i zgjedhur dallimet mes nesh”, tha Osmani në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 23 tetor./Ballkani.info/
VIDEO BONUS: Intervistë me Zgjim Hysenin e PSD-së: Kurti është në prag të dhënies së autonomisë për veriun







