Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë lidhjet e shtetit serb me terroristët në Banjskë, meqë mendojnë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative.
Escobar ka thënë se hetimi për sulmin është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës, duke thënë se rezultatet e hetimit janë shumë afër me informacionet e tyre.
Ai ka shtuar se nga Serbia s’po kërkojnë hetim për atë çfarë ndodhi më 24 shtator, por përgjegjësi.
“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.







