MPJD

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, MPJD fton kosovarët që gjenden atje që t’i zbatojnë udhëzimet e sigurisë

Të shtunën Irani tha se ka filluar një sulm me numër dronësh në drejtim të Izraelit.

Pas kësaj kanë ardhur reagime të shumta nga vende të ndryshme të botës.

Lidhur me situatën e krijuar atje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët e Kosovës që gjenden atje që t’i zbatojnë udhëzimet e sigurisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael si edhe me të gjithë qytetarët e Kosovës, në Izrael. U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”, thuhet në reagim.

Ministria shton tutje se për çdo nevojë të mundshme ftohen të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael: +972 58-634- 0450

Ndryshe, ushtria izraelite tha të dielën se “99%” e më shumë se 300 predhave të gjuajtura në Izrael nga Irani “u kapën”.

Vetëm “një numër i vogël” raketash balistike arritën në territorin e vendit, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, ushtaraku Daniel Hagari, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërkaq, presidenti i SHBA-së, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një telefonatë se vendi i tij duhet të konsiderojë një fitore sepse vlerësimi aktual i SHBA-së është se sulmet e Iranit kishin qenë kryesisht të pasuksesshme dhe demonstruan aftësi superiore ushtarake të Izraelit, tha një zyrtar i lartë i administratës për CNN.

Forcat amerikane u përfshinë gjithashtu në mbrojtjen e Izraelit, duke përgjuar më shumë se 70 dronë sulmues dhe të paktën tri raketa balistike, sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me situatën.