Sulmi fizik ndaj mjekut dhe infermieres në Pulmologji, reagon ShSKUK

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, është njoftuar nga Klinika e Pulmologjisë, se dje derisa po ofronin kujdesin shëndetësorë për pacientët, rreth orës 16:00, në vendin e tyre të punës, nga ana e një familjari, janë sulmuar fizikisht, mjeku, G.H dhe infermierja, T.N.

“ShSKUK dënon ashpër sulmin ndaj stafi shëndetësorë, i cili ishte duke trajtuar rastet me Covid-19, në Klinikën e Pulmologjisë, duke kërkuar nga organet kompetente që sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e tyre.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, me anë të raportit 24-orësh është njoftuar se mjeku dhe infermierja, pas sulmit, kanë pranuar edhe trajtim mjekësor.

“QKUK, Prishtinë 17.04.2021-16:00. Raportohet se një i dyshuar mashkull kosovar në njërën klinikë, pasi që i njëjti si pasoj e një rasti që kishte pasur, i kishte penguar dhe sulmuar një femër dhe një mashkull kosovar staf mjekësor . Viktimat nuk kanë marre tretman mjekësor .Pas intervistimit në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.