Sulmet në veri| SHBA kërkon që fajtorët të sillen para drejtësisë në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it të shtunën në veri të vendit.

Ambasadori Hovenier në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe se autorët duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë së Kosovës.

“SHBA i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEXIT, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe autorët duhet mbajtur përgjegjës përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, ka shkruar Ambasadori Hovenier.

Ndërsa EULEX ka njoftuar se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudarë është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.

EULEX nëpërmjet një njoftimi për media ka theksuar se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet. Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet në njoftim.