Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez ka kërkuar nga Ousmane Dembele që të mësojë nga bashkëlojtarët e tij te klubi katalanas, në mesin e kritikave që kanë ardhur në drejtim të talentit francez.

Dembele nuk ka startuar për Barcelonën në La Liga që nga muaji shtator, pavarësisht se gjatë kësaj periudhe mungoi Lionel Messi, kurse edhe më keq ish anëtari i Borussia Dortmundit mbeti jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Real Betisit para pauzës së kombëtareve.

Valverde tregoi se arsyeja e mbetjes jashtë të 21 vjeçarit nuk ishte sëmundja, ndërsa raportohet se Barcelona i ka vënë ultimatum Dembeles t’i përmirësojë sjelljet.

Transferimi 105 milionësh nga Dortmundi e ka mbështetjen e bashkëlojtarit të tij, Luis Suarezit por uruguaini ka kërkuar që Dembele të ndryshojë.

“Nuk ka të bëjë me çështje adaptimi, raporti i tij me bashkëlojtarët është shumë i mirë, dhe ai është i lumtur. Të jesh futbollist është privilegj dhe Dembele e di këtë, ai duhet të fokusohet më shumë te futbolli dhe të jetë më i përgjegjshëm. Ai është shumë i ri dhe mund të inspirohet nga bashkëlojtarët e shkëlqyeshëm profesionist që ka Barcelona”, tha Suarez.

Edhe menaxheri gjeneral i Barcelonës, Pep Segura i dha mbështetjen e tij Dembeles duke besuar se do të gjejë hapësirat e nevojshme në formacionin e klubit “Blaugrana”.