Suarez e dëshiron rikthimin e Neymarit

Luis Suarez ka sugjeruar se do ta mirëpriste kthimin e Neymarit në Barcelonë, duke e rikujtuar njërin ndër vitet më të mira të karrierës së tij përkrah brazilianit dhe Lionel Messit.

Neymar, 27-vjeçar, është i lidhur me një kthim te kampioni i La Ligës, dy vjet pasi e kishte kompletuar transferimin në Paris Saint-Germain, për 222 milionë euro, shumën më të lartë që është paguar ndonjëherë për ndonjë futbollist.

Sipas Globo Esporte, Barcelona mund të paguajë deri në 100 milionë euro për ta kthyer Neymarin sërish në Katalonjë, ku braziliani kishte luajtur për katër sezone. Në këtë marrëveshje do të përfshiheshin edhe Ousmane Dembele, Ivan Rakitic dhe Samuel Umtiti.

Gjatë kohës së tij në Barcelonë, Neymari arriti shumë suksese, veçanërisht në sezonin 2014/15, kur e kishte fituar Champions Leaguen. Neymari i bëri 186 paraqitje për klubin katalonas, duke i shënuar 105 gola.

Suarez ka thënë se do të kishte qenë i lumtur ta shihte Neymarin, i cili ka mbetur jashtë Kupës së Amerikës për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, përsëri në Camp Nou.

“Unë isha i privilegjuar ta përmbushja njërin ndër vitet më të mira të jetës sime si futbollist në Barcelonë, përkrah më të mirit në botë, Messit, dhe të dytit më të mirit në botë, Neymarit”, ka thënë Suarez.

“Për mua, ishte njëra ndër momentet më të mira që e kam përjetuar – tripletë. Kush nuk do ta shijonte një lojtar si Neymari? Por, ai i përket PSG-së dhe gjithmonë flitet për këto gjëra gjatë afatit kalimtar”.