Mbi 40 fakultete shtetërore në Serbi janë zyrtarisht në bllokadë dhe studentët janë mbledhur mbrëmjen e sotme para godinës së RTS (Televizionit Publik).

Synimi i tyre është të ndalojnë ditarin e shërbimit publik që sapo ka nisur, pasi siç raportojnë mediat nuk publikojnë informacione për aktivitetet e tyre, por edhe sepse kanë thënë se studentët janë paguar. Studentët brohorasin “po gënjen popullin”, fishkëllejnë dhe bëjnë zhurmë, transmeton Ballkani.info.

Bllokada në fakultete nisi si reagim ndaj sulmit ndaj studentëve disa javë më parë dhe numri i fakulteteve që i bashkohen kësaj proteste po rritet çdo ditë e më shumë.

Studentët kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit në lidhje me rindërtimin e tendës në Novi Sad, përcaktimin e përgjegjësisë penale dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin ndaj studentëve, si dhe ndërprerjen e represionit dhe torturës politike.

Studentët edhe sot kanë bërë nderime për viktimat e tragjedisë në Novi Sad duke bllokuar rrugët për pesëmbëdhjetë minuta dhe duke dalë para fakultetit.

Të gjithë plenumët e fakulteteve të Beogradit që janë në bllokadë thanë se kërkesat e tyre nuk janë përmbushur, duke aluduar në deklaratën e mbrëmshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve dhe se ata tani mund të përfundojnë bllokadat.

Dje studentët janë mbledhur para Presidencës para fjalimit të presidentit Vuçiq dhe kanë deklaruar se qëllimi i tyre kryesor është “të prishin fjalimin e Presidentit”.

Ndërkohë që presidenti po fliste, në transmetim dëgjoheshin fishkëllimat dhe zhurmat që ata bënin. Vuçiq deklaroi se sot do të publikohet i gjithë dokumentacioni për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, duke akuzuar ata që pretendonin se po fshihej dhe se po bënin luftë hibride.

E pas fjalimit të presidentit të mërkurën në mbrëmje, sot në mëngjes, Qeveria e Serbisë njoftoi se është marrë vendim që shuma e mjeteve për shpenzimet materiale të institucioneve të arsimit të lartë për vitin 2025 të rritet me 20 për qind në krahasim me fondet e vitit 2024.

Gjithashtu u vendos që Ministria e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës t’i bëjë publike të gjitha dokumentet që kanë në dispozicion, të cilat, siç thonë ata, kanë të bëjnë me kryerjen e mundshme të veprës penale për shkak të shembjes së tendës së ndërtesës së stacionit në Novi Sad. /Ballkani.info/