Studentët që erdhën nga disa qytete të Serbisë për të protestuar në Beograd më 15 mars janë afër qëllimit të tyre. Ata do të priten sonte në qendër të qytetit. Studentët në bllokadë kanë njoftuar në faqen e tyre në Instagram se protesta e nesërme në Beograd do të fillojë në orën 16:00 para Kuvendit të Serbisë.
Lokacioni i pritjes së sonte do të jetë Terazije, me fillim nga ora 19.00. Pritja e parë e çiklistëve është planifikuar të fillojë në orën 19:30, ndërsa grupi i fundit i pritjes së këmbësorëve është planifikuar të bëhet nga ora 21:45 deri në 22:45, transmeton Ballkani.info.
Studentët nga të gjitha pjesët e Serbisë – duke përfshirë Kragujevcin, Nishin, Trstenikun, Kraljevën, Uzhicën, Krushevacin, Vërshacin, Çaçakun – do të shkojnë në Beograd në këmbë ose me biçikleta.
Njëkohësisht me marshimin e studentëve, përreth Parkut të Pionerit u parkuan traktorë, ku po “kamponin” të ashtuquajturit “studentët që mësojnë”.
Po ashtu nesër në Beograd një protestë mbështetëse për regjimin e Aleksandar Vuçiq kanë paralajmëruar edhe mijëra qytetarë, prandaj ekziston rreziku real që të ketë përplasje të dhunshme.
Protesta e nesërme shihet si kulmi i demonstratave disamujore kundër korrupsionit në Serbi dhe një provë për qeverinë e krahut të djathtë të Vuçiqit, e cila po përballet me pakënaqësi publike në rritje, sipas AP.
Presidenti autokratik i Serbisë ka paralajmëruar vazhdimisht se në protestë po planifikohet dhuna, ndërsa në të njëjtën kohë kërcënon me arrestime për incidente, tha agjencia, duke shtuar se mbështetësit e Vuçiqit janë duke kampuar në qendër të qytetit, duke nxitur frikën e përleshjeve me protestuesit.
Pavarësisht rritjes së tensioneve, dhjetëra mijëra studentë dhe protestues të tjerë nga e gjithë Serbia pritet të mblidhen në Beograd.
Agjencia shkruan gjithashtu se sot traktorët janë parkuar rreth parkut para ndërtesës së presidencës serbe, ku përkrahësit e Vuçiqit, duke përfshirë edhe ish-pjesëtarë të formacioneve paraushtarake, po organizojnë një kundërprotestë. /Ballkani.info/







