Strategjia e re për diplomaci e Gërvalles, nuk i bind njohësit e politikës

Ministria e Punëve të Jashtme ka paralajmëruar lansimin e një strategjie me qëllim të intensifikimit të procesit të njohjes së Kosovës nga shumë shtete.

Por një strategji e tillë po shihet në mënyra të ndryshme nga njohës të zhvillimeve politike e diplomatike.

Dorajet Imeri, ligjërues në Fakultetin Filozofik, vlerëson se institucionet e Kosovës duhet më shumë të orientohen nga diplomacia publike përmes grupeve të miqësisë.

“Strategjia më shumë është një ftesë, një kërkesë, një përpjekje për t’i identifiku faktorët të cilët do të mund të forconin pozitën e Kosovës në kuadër të përpjekjes së saj për t’i kompletuar njohjet. Çfarë Kosova mund të bëjë në këtë drejtim është të paraqesë atë si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Kosova duhet të ushtrojë forma të ndryshme të diplomacisë, atë të diplomacisë publike, kulturore, ekonomike”, ka thënë ai për teve1.info.

Një strategji për njohje të reja, do të duhej të bazohej në tri shtylla kryesore, thotë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“E para duhet të jetë forcimi dhe rimëkëmbja e marrëdhënieve diplomatike me ato shtete që e kanë tërhequr njohjen dhe me ato shtete të cilat kanë marrëdhënie të dobëta diplomatike me Kosovën, thuajse janë inekzistente. Pika e dytë besojmë që Kosova duhet të punojë intensivisht me pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian dhe kjo duhet të bëhet me ambasadat dhe me vizita zyrtare dhe e treta është krijimi i marrëdhënieve apo lobimi me regjione të largëta gjeografike”, ka thënë Fetahu.

Sipas Fetahut, në kontinentin e Afrikës dhe një pjesë të Azisë janë potencialet më të mëdha për të korrur njohje të reja.

Shteti i fundit që e njohu Kosovën është shteti i Izraelit më 1 shkurt të vitit të kaluar. Njohja nga ky vend erdhi si derivat i Marrëveshjes me Serbinë për Normalizim Ekonomik, e nënshkruar në Washington më 4 shtator 2020.