Stoltenberg takohet me Vuçiqin nesër në Bruksel, temë diskutimi situata në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar më 18 korrik se do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq të mërkurën, më 19 korrik në Bruksel.

Më 12 korrik, Vuçiq njoftoi se kishte dërguar një letër zyrtare dhe një kërkesë për takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s.

Temë e bisedës duhet të jetë situata në Kosovë.

Stoltenberg dhe Vuçiq do të takohen në të njëjtën ditë kur në Bruksel do të zhvillohen bisedimet mes negociatorëve kryesorë të Serbisë dhe Kosovës me të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova pranoi të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në veri të Kosovës.

Gjithashtu u ra dakord për zvogëlimin shtesë të forcës policore në këto komuna me shumicë serbe, së bashku me vlerësimin e rregullt të situatës së sigurisë në bashkëpunim me misionet e EULEX-it dhe KFOR-it, si dhe përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, me deklaratën se “të gjitha hapat do të përfundojnë brenda dy javësh”. Ata shtuan se prezenca e policisë do të reduktohet me 25 për qind.

Tensionet në veri të Kosovës u ngritën në fund të majit kur kryetarët e sapozgjedhur hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë, gjë që u kundërshtua nga popullata vendase serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb, që janë shumicë në veri të Kosovës, bojkotuan zgjedhjet e prillit të kaluar dhe nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj që vijnë nga radhët e komunitetit shqiptar.

Javën e kaluar, 25 për qind e Policisë së Kosovës është zvogëluar nga dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok (në foto: Komuna e Zubin Potokut, 12 korrik).

Ata protestojnë çdo ditë para objekteve komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok me kërkesë që kryetarët e komunave të mos vijnë në punë dhe të tërhiqet njësia speciale e Policisë së Kosovës nga veriu./REL