Stoltenberg, NATO: Rusia planifkon pushtimin e plotë të Ukrainës, është momenti më i rrezikshëm për sigurinë evropiane

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në një konferencë për shtyp në Bruksel se Rusia nuk e ka ndalur planifikimin për një pushtim të plotë të Ukrainës që nga njohja e pavarësisë së enklavave separatiste, raporton The Guardian.

“Çdo tregues është se Rusia po vazhdon të planifikojë për një sulm në shkallë të plotë ndaj Ukrainës”, u tha Stoltenberg gazetarëve.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që të tërhiqet … nuk është kurrë vonë për të mos sulmuar”, tha ai.

Komentet e Stoltenberg vijnë në një kohë kur Dhoma e Lartë e Rusisë e ka pranuar kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putini për të sulmuar jashtë vendit. Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë votoi njëzëri këtë pasdite për ta miratuar kërkesën e Putinit për t’i vendosur forcat e armatosura të Rusisë jashtë vendit për atë që e përshkroi si një mision paqeruajtës në dy rajone separatiste të Ukrainës lindore.

Stoltenberg e ka lavduar Ukrainën për sjelljen e përmbajtur dhe për mos përgjigjen ndaj provokimeve të përsëritura të Rusisë, duke shtuar se NATO është “e bashkuar në mbështetjen e tyre të plotë për sovranitetin dhe integritetin e territorit të Ukrainës”.

Stoltenberg e ka përshkruar krizën në Ukrainë si “momentin më të rrezikshëm për sigurinë evropiane”.