Stipe Mesiq për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Nuk besoj që janë fajtorë për çka po akuzohen

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, nuk beson që ish-krerët e UÇK-së janë fajtorë për akuzat që po i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë.

“Nuk kam dëshirë t’i komentoj proceset që janë në vazhdim. Për aq sa kam lexuar deri më tash nuk besoj se ata janë fajtorë për çka po akuzohen”, tha Mesiq në Prizren.

Ish-krerët e UÇK-së, po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, me seli në Hagë.

Deri më tani Dhomat e Specializuara kanë arrestuar dhe konfirmuar aktakuza për udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniq, deputetin Rexhep Selimi si dhe eprorin tjetër të UÇK-së, Salih Mustafa, shkruajnë mediat lokale.