Stavileci, PDK: Qeveria t’i kthehet arsyes njerëzore dhe ndërgjegjes kombëtare sa s’është bërë vonë

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka folur rreth zhvillimeve të fundit lidhur me Gjykatën Speciale dhe akuzat që bëhen në drejtim të ish pjesëtareve të UÇK-së.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se kanë pritur që së paku nga kjo Qeveri mos të bëhen dëme ndaj UÇK-së, për të cilën gjë ka thënë se kjo Qeveria duhet t’i kthehet arsyes njerëzorë dhe ndërgjegje kombëtare.

“Një qeveri e cila nuk di të menaxhojë pandeminë, shëndetësinë, ekonominë, arsimin, sigurinë, administratën publike, politikën e jashtme, nuk pres që di as ta mbrojë e lartësojë vlerën më të madhe kombëtare që kemi, UÇK-ne dhe luftën e saj të pastër. Por, së paku, do të prisnim që dëm të mos i bënte. Dhe, fatkeqësisht, edhe këtë e bënë dhe janë ne gjendje ta bëjnë. Madje me këto veprime të papërgjegjshme ata mund të na fusin në gracka të rrezikshme, sepse kësisoj pranohet ajo për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në me vite të tëra. Duam të shpresojmë që t’i kthehen arsyes njerëzore dhe ndërgjegjes kombëtare sa nuk është bërë vonë”, ka deklaruar Stavileci.

Ai ka folur dhe për zhvillimet brenda PDK-së, me rastin e zgjedhjes së lidershipit të ri, për të cilën gjë ka mohuar zërat që ka pakënaqësi ndaj këtij lidershipi.

Sipas tij, secili qytetar i secilës komunë do të donte të kishte kryetarë komune njerëz e profile si Agim Aliu, Bedri Hamza, Uran Ismaili, Shaqir Totaj, Naim Ismajli e Besim Ilazi, gra si Leonora Morina Bunjaku, Floreta Zejnullahu e Arbënesha Kuqi, burra si Ramiz Lladrovci e Fadil Nura dhe shumë e shumë të tjerë. “Partia Demokratike është duke kaluar nëpër një proces reformues në mënyrë permanente. Zgjedhja e lidershipit të ri, e kryetarit dhe kryesisë së re, zgjerimi i hapësirës për kuadrot e reja dhe ato të dëshmuara, risitë e shumta strukturore dhe organizative, zgjedhja e kandidatëve më të mirë të mundshëm për kryetarë komunash, pasurimi i listave për asamblistë me gra e burra të rinj e të njohur, ka bërë që entuziazmi i strukturave dhe i qytetarëve të kthehet bindshëm nga ne. Sot, secili qytetar i secilës komunë do të donte të kishte kryetarë komune njerëz e profile si Agim Aliu, Bedri Hamza, Uran Ismaili, Shaqir Totaj, Naim Ismajli e Besim Ilazi, gra si Leonora Morina Bunjaku, Floreta Zejnullahu e Arbënesha Kuqi, burra si Ramiz Lladrovci e Fadil Nura dhe shumë e shumë të tjerë. Ne kemi numrin më të madh të kandidatëve për asamble, numrin më të madh të të rinjve të përfshirë në listat tona, numrin më të madh të kandidatëve që garojnë për herë të parë, si dhe numrin më të madh të kandidateve gra për kryetare”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se janë të mobilizuar si asnjëherë më parë. “Jemi të konsoliduar e të mobilizuar si asnjëherë më parë. Këtë po e shohim vetë në terren dhe këtë po na e vërtetojnë çdo ditë e më shumë numrat dhe faktet nga hulumtimet dhe anketimet”, u shpreh ai.