Stavileci i reagon Kurtit: Ti që bëre thirrje për vëllavrasje, ti që the se në Kosovë bëhet mirë kur derdhet gjak

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditë së sotme ka qëndruar në Klinë, në kuadër të tubimeve që po i bënë me qytetarët e Kosovës. Lideri i VV’së nga Klina ka hedhur kritika të ashpra për qeverinë aktuale. Por, ai këtë herë ka folur edhe për kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli.

Kurti ka thënë se këshilltari i Veselit, ish-ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, është duke përfituar grante nga shteti.

“Tre emra aksionarësh rezultojnë të jenë përfitues në dy grante. E midis tyre Këshilltari i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, e krahas tij dhe kompania Otvic, e mikut të Kryeministrit dhe shefit të Rikallos, famëkeqit Radojçiq”, ka thënë Kurti.

E ndaj këtyre fjalëve ka reaguar ish-ministri Blerand Stavileci, i cili e ka quajtur Kurtin një mashtrues dhe shpifës me mendje të korruptuar, ndërsa e ka ftuar në ballafaqim publik

“Për shpifjen në fjalë jep fakte një nga një dhe eja ballafaqohemi ligjërisht! Për punën time si ministër kudo që kam qenë eja dhe ballafaqohemi publikisht!”, ka shkruar Stavileci në llogarinë e tij.

Reagimi i plotë i Stavilecit:

Një kokë e marrë si ti!

Ti që e ke mendjen e korruptuar dhe idetë e sëmura,

ti që bëre thirrje për vëllavrasje duke u thënë shokëve të tu se në Kosovë bëhet mirë atëherë kur nis të derdhet gjaku,

ti që s’le të zezë pa bërë për të nxitur luftë qytetare në vendin tënd, jo në Norvegji, por në Kosovë, ti që ndikove në vetëvrasjet e shokëve të tu, ti mendje patologjikisht e korruptuar, nga e cila burojnë ide të zeza për shokët dhe bashkëkombasit, jo norvegjezët, por shqiptarët, paske nisur edhe të shpifësh!

Urime edhe ky mision o dështak i lindur, që së voni nise ta vendosësh edhe kravatën duke i dhënë vulën përfundimtare palaçllëkut tënd!

Për shpifjen në fjalë jep fakte një nga një dhe eja ballafaqohemi ligjërisht!

Për punën time si ministër kudo që kam qenë eja dhe ballafaqohemi publikisht!