Statistikat prapa sezonit të paparashikueshëm në Kosovë

Feronikeli ka arritur të fitojë titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, për herë të tretë në histori të klubit.

Ekipi nga Drenasi arriti të siguronte titullin tek në xhiron e fundit pas fitores 1 me 0 në duelin e drejtpërdrejtë me Prishtinën.

Në fund, Feronikeli u shpall kampion me 80 pikë, pesë para “Plisave”.

Feronikeli ishte skuadra më efikase këtë sezon. Ekipi i Zekirja Ramadanit realizoi 64 gola në 33 ndeshje. Llapi ishte skuadra e dytë më efikase me 54 gola. Prishtina që ishte e treta për golat e shënuar me 49, pati mbrojtjen më të mirë me vetëm 12 gola të pësuar.

Trepça ’89 e Gjilani shkojnë në barazh, ndërsa Liria e Kek-u do të vazhdojnë garat në Ligën e Parë.

Xhiroja e 27-të, kthesa e sezonit

Ferizaj, si ekip që po rrezikonte mbijetesën, në xhiron e 27-të arriti të fitonte si mysafir i Feronikelit për të bërë tejet dramatike garën për titull. Me fitoren 1 me 2 të Ferizajt, Prishtina e barazoi me pikë Feronikelin, me gjashtë ndeshje deri në fund. Llapi ishte menjëherë pas tyre.

Llapi nuk e shfrytëzoi orarin

Sikur Llapi i Tahir Batatinës të shfrytëzonte orarin që kishte në xhirot e fundit dhe të fitonte të gjitha ndeshjet, tash titulli do të shkonte në Podujevë. Llapi pati ndeshje direkte me Prishtinën e Feronikelin, që do të mund t’ia siguronin pozitën e parë “Legjendave”. Pas një forme të mirë të llapjanëve, serinë ua prishi Prishtina në xhiron e 31-të duke e mposhtur 1 me 0 në kryeqytet e për t’ia zbehur shumë gjasat për titull. Në xhiron e 32-të, Llapi u mposht në shtëpi 3 me 1 nga kampioni i ri tashmë i Superligës. E në xhiron e fundit, Llapi pësoi 3 me 2 në Prishtinë nga Flamurtari. Sikur të fitonte të tri këto ndeshje, Llapi do të kishte 78 pikë, e do të ishte përpara rivalëve.

Gara për mbijetesë dhe dështimi i Kek-ut

Garë e ashpër u zhvillua edhe për mbijetesë. Vetëm Drita si pozitë e katërt e kishte siguruar më herët mbijetesën, ndërsa Ferizaj, Flamurtari, Drenica, Ballkani, Trepça ’89 e Gjilani u desh deri në fund të luftonin për të ikur nga barazhi. Në fund aty mbetën ’89-shi e Gjilani. Shumë më herët diheshin emrat e ekipeve që ranë nga Superliga, Kek-u e Liria. Ekipi i Kek-ut pati dështim total të sezonit duke mos arritur asnjë fitore në 33 ndeshje. Madje kjo skuadër, pos që mori vetëm një pikë, pësoi plot 104 gola nga skuadrat tjera. Liria ra nga liga me 28 pikë, dhjetë prapa ekipit që mbeti në barazh.

Kjo është tabela përmbyllëse e sezonit: