Xherdan Shaqiri ishte titullar për Liverpoolin në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës, mirëpo ai pritet të kthehet në stol për ndeshjen e radhës të Liverpoolit, të dielën.

Në ndeshjen e fundit për këtë sezon të Premierligës, Liverpooli do ta presë në stadiumin “Anfield”, Wolverhamptonin të dielën. Skuadra e Jurgen Klopp duhet ta fitojë këtë ndeshje dhe mund të shpallet kampione e Premierligës nëse Manchester City barazon ose e humb ndeshjen e vet.

Mohamed Salah dhe Roberto Firmino nuk kishin qenë në dispozicion për ndeshjen kundër Barcelonës për shkak të lëndimeve, mirëpo egjiptiani besohet se do të kthehet në formacionin e parë këtë fundjavë.

Uebsajti ndërkombëtar i futbollit, Goal.com, e ka publikuar formacionin e mundshëm të Liverpoolit për ndeshjen kundër Wolverhamptonit dhe Salah pritet ta zë vendin që Shaqiri e pati të martën.

“Është pothuajse e sigurt se Salah do të kthehet në formacionin e parë, me më së shumti gjasa në kurriz të Xherdan Shaqirit”, shkruan Goal.com.