Pesë persona mes të cilëve dhe presidenti i Leicester Cityt, Vichai Srivaddhanaprabha humbën jetën pas përplasjes së helikopterit me 27 tetor.

Hetimi gjyqësor ka zbuluar se Kryetari i Leicesterit kishte mundësi minimale t’i shpëtonte aksidentit që ndodhi afër stadiumit “King Power”.

Aksidenti kishte ndodhur pas përfundimit të ndeshjes me West Hamin, ndërsa së bashku me Srivaddhanaprabhan vdiqën edhe bashkëpunëtorët e tij Nusara Suknamai, Kaveporn Punpare, Izabela Roza Lechowicz dhe piloti Eric Swaffer.

Shefi dedektiv, David Sandall tha se kishte pak gjasa që të ndejerit të dilnin nga helikopteri pas momentit të përplasjes.

“Kishte pak mundësi për të dalur nga helikotperi në ato momente. Hetimi po vazhdon në kërkim të shkakut të përplasjes”, deklaroi Sandall.

Leicester City e fitoi ndeshjen e parë pas ngjarjes tragjike përballë Cardiffit në fundjavë, me lojtarët që përjetuan momente emocionale gjatë minutës së heshtjes në nderim të kryetarit Vichai Srivaddhanaprabha.