Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh katër të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Masa e paraburgimit është caktuar ndaj ish-vjehrrës së viktimës, Nurije Sylajt, ish-kunatit të saj, Driton Sylajt, si dhe Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.

Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen për dhënie të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj ish-bashkëshortit të së ndjerës, Jeton Sylajt, i cili tashmë dyshohet për veprën penale “Shtytja në vrasje të rëndë”.

Dyshimet për koordinimin e vrasjes dhe përcjelljen e viktimës

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Nurije dhe Driton Sylaj dyshohet se kishin përcjellë lëvizjet e Arlinda Zekajt, duke siguruar fotografi dhe video të saj, të cilat dyshohet se ishin shkëmbyer në kuadër të një koordinimi paraprak.

Prokuroria pretendon se Nurije Sylaj kishte qenë e pranishme gjatë sulmit ndaj viktimës, pa ndërmarrë veprime për ta penguar atë, ndërsa më pas dyshohet se kishte tentuar të devijonte hetimet përmes deklaratës së saj.

Në anën tjetër, Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se kishin ndihmuar Albert Sylajn që t’i shmangej arrestimit nga organet e rendit.

Komunikimet kërcënuese dhe rreziku i ndikimit te dëshmitarët

Nga ekzaminimi i telefonave të sekuestruar, Prokuroria pretendon se janë zbuluar komunikime shqetësuese dhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një të miture.

Sipas organit të akuzës, nga komunikimet ndërmjet Nurije dhe Driton Sylajt rezulton se shqetësimi i tyre kryesor nuk lidhej me vrasjen e Arlinda Zekajt, por me mundësinë e zbulimit të përfshirjes së tyre të dyshuar në këtë ngjarje.

Prokurori Armend Hamiti kishte kërkuar caktimin e paraburgimit, duke argumentuar se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët, pengimit të procedurës penale dhe përsëritjes së veprave penale.

Hetimet për vrasjen e Arlinda Zekajt po zgjerohen

Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari kryesor për vrasjen e saj është Albert Sylaj.

Familja e së ndjerës përfaqësohet nga avokati Besnik R. Berisha, i cili një ditë më parë kishte paralajmëruar zgjerimin e hetimeve, duke ngritur dyshime për përfshirjen e personave të tjerë në veprime kriminale para, gjatë dhe pas vrasjes.