Milaim Limoni, kryetar i Veteranëve në Komunën e Kamenicës, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka përfunduar vizitat në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka bërë të ditur se vizitat janë realizuar gjatë datave 23, 24 dhe 25 nëntor, ndërsa ka shprehur kënaqësinë që i ka gjetur mirë me shëndet dhe të fortë në qëndrim, transmeton Klankosova.tv.
"Më gëzoi pa masë fakti që i gjeta mirë me shëndet, të fortë dhe të palëkundur, si gjithmonë. Qëndresa, dinjiteti dhe forca e tyre janë frymëzim për të gjithë ne".
Limoni ka veçuar vizitën e sotme te shoku i tij, "Cali", duke thënë se qëndrimi i tij e ka emocionuar dhe i ka rikujtuar forcën dhe dinjitetin me të cilin e ka njohur gjithmonë.
“Tri orë që kaluam së bashku m’u dukën si tre minuta”, ka shkruar Limoni.
Në fund të postimit, ai ka shprehur respekt dhe krenari për ish-krerët e UÇK-së, me mesazhin: “Liri për çlirimtarët!”






