Pas protestave të punëtorëve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka arritur marrëveshje me dy organizatat sindikale, SR-KEK dhe SPEK, për mbështetjen financiare të të gjithë punonjësve përmes një bonusi.
Sipas njoftimit të KEK-ut, marrëveshja është arritur pas një takimi të përbashkët mes Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Korporatës dhe përfaqësuesve të dy sindikatave.
Gjatë takimit, drejtuesit e KEK-ut kanë informuar përfaqësuesit sindikalë për sfidat aktuale me të cilat po përballet Korporata, veçanërisht në zbatimin e projekteve të modernizimit të njësive prodhuese, investimeve mjedisore dhe sigurimin e vazhdimësisë së operimeve.
Në këtë kontekst, është kërkuar mirëkuptimi dhe angazhimi i përbashkët i punonjësve për tejkalimin e këtyre sfidave.
KEK-u ka bërë të ditur se të gjitha palët janë pajtuar se operimet e Korporatës janë jetike për sigurinë energjetike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Si rezultat i dialogut konstruktiv dhe frymës së mirëkuptimit të ndërsjellë, Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti i KEK-ut dhe përfaqësuesit e dy organizatave sindikale, SR-KEK dhe SPEK, kanë arritur marrëveshje për mbështetjen financiare të të gjithë punonjësve të Korporatës përmes bonusit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, palët janë dakorduar që të mobilizohen për tejkalimin e sfidave aktuale, ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe realizimin e projekteve strategjike të Korporatës.
KEK-u nuk ka bërë të ditur shumën e bonusit që do të përfitojnë punonjësit.
Por sipas Sindikatës së re të KEK-ut, palët u dakorduan që punëtorët të përfitojnë bonus prej 800 eurosh: 500 euro në dhjetor të këtij viti dhe 300 euro në maj të 2027-tës.
Njëkohësisht, Bordi, Menaxhmenti dhe përfaqësuesit e të dyja sindikatave janë dakorduar që, së bashku me të gjithë punonjësit, të mobilizohen maksimalisht për tejkalimin e sfidave aktuale, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të prodhimit, realizimin e projekteve strategjike dhe përmbushjen e përgjegjësisë së përbashkët ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“KEK-u shpreh falënderim dhe mirënjohje për përfaqësuesit e SR-KEK dhe SPEK, për qasjen konstruktive, mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të kontribuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke dëshmuar se dialogu social dhe bashkëpunimi institucional janë rruga më e mirë për adresimin e kërkesave të punonjësve dhe tejkalimin e sfidave.
Të bashkuar për punonjësit, të përkushtuar për Korporatën dhe përgjegjës ndaj qytetarëve!” thuhet në njoftim.






