Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prezantimin ndërkombëtar të dokumentimit të krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjatë luftës në Kosovë.

Përmes këtij memorandumi, Ministria dhe Instituti do të bashkërendojnë angazhimet për ndërkombëtarizimin e hulumtimeve, dëshmive dhe publikimeve mbi krimet e luftës. Rrjeti diplomatik dhe konsullor i Republikës së Kosovës do të mbështesë prezantimin e këtyre materialeve në arenën ndërkombëtare, organizimin e aktiviteteve përkujtimore dhe zgjerimin e bashkëpunimit me institucione relevante ndërkombëtare.

Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e diplomacisë publike të institucioneve tona në përballjen me përpjekjet për mohimin dhe relativizimin e krimeve të kryera ngs Serbia ndaj popullit të Kosovës gjatë luftës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mbetet e përkushtuar që e vërteta historike për luftën çlirimtare të popullit tonë dhe për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë të njihet sa më gjerësisht ndërkombëtarisht, duke fuqizuar zërin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të drejtësise dhe dinjitetit të viktimave ndaj të cilëve janë kryer këto krime.