Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka vlerësuar si ‘’arritje infrastrukturore dhe një hap konkret drejt përafrimit me hapësirën financiare evropiane’’, lansimin e Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës.
Kurti, ka thënë se ky sistem, bazohet në teknologjinë TIPS të Eurosistemit, dhe se, banka e Italisë, , e cila e ka zhvilluar dhe e operon këtë platformë në emër të Eurosistemit, ofron zgjidhjen përkatëse për bankat qendrore pjesëmarrëse.
‘’ Miratimi i kësaj nisme nga Banka Qendrore Evropiane dëshmon rëndësinë e saj në kuadër të bashkëpunimit financiar evropian’’, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Pata kënaqësinë e posaçme të isha pjesë e lansimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës, që do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë mjete brenda pak sekondash, në çdo kohë të ditës, shtatë ditë në javë, pa u kufizuar nga orari i punës së bankave apo ditët e pushimit.
Për Republikën e Kosovës, kjo është një arritje infrastrukturore dhe një hap konkret drejt përafrimit me hapësirën financiare evropiane. Sistemi bazohet në teknologjinë TIPS të Eurosistemit. Banka e Italisë, e cila e ka zhvilluar dhe e operon këtë platformë në emër të Eurosistemit, ofron zgjidhjen përkatëse për bankat qendrore pjesëmarrëse. Miratimi i kësaj nisme nga Banka Qendrore Evropiane dëshmon rëndësinë e saj në kuadër të bashkëpunimit financiar evropian.
Falënderime Bankës Botërore për mbështetjen financiare dhe partneritetin e vazhdueshëm me institucionet e Republikës, si dhe Ministrisë së Financave për koordinimin dhe përkushtimin. Përgëzime të posaçme Bankës Qendrore të Kosovës për udhëheqjen dhe realizimin e këtij projekti, si dhe institucioneve financiare për angazhimin e tyre në funksionalizimin e kësaj infrastrukture në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve.






