Policia e Kosovës ka realizuar një operacion taktik të koduar “KIOSKU” në Mitrovicë të Jugut, ku një person është arrestuar nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Gjatë ndalimit dhe kontrollit të të dyshuarit, mashkull kosovar, policia ka gjetur 4.5 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Me urdhër të prokurorit, më pas janë kontrolluar edhe një lokal dhe një banesë në pronësi të të dyshuarit. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 117.9 gramë marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon celular dhe 435 euro para të gatshme.Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.






