Kryetarja e komisionit për integrime evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropan në Kosovë, Dirk Schuebel, lidhur me interpretimin e këngës nacionaiste serbe të lashuar në Forumin e Zgjerimit në Bruksel.
Lushaku-Sadriu, ka thënë se ajo që ka ndodhur në Bruksel është zhgënjyese dhe ka një javë që po presin kërkimfalje ndaj Republikës së Kosovës për të sqaruar këtë incident.
“Më lejoni krejt në fillim që të shpreh edhe habinë edhe zhgënjimin për një incident që ka ndodhur në Bruksel javën e kaluar e në fakt ishte zhgënjyes për ne, edhe në përgjithësi si shoqëri sepse ne jemi shoqëria më proevropiane e rajonit dhe e shohim Bashkimin Evropian si perskeptivën tonë të shtetit tonë, pra ishte dhe zhgënjyese për mungesën e përfaqësimit institucional në këtë forum dhe ashtu siç e dimë të gjithë forumi i zgjerimit është një forum i cili ka shumë qëllime të përçojë mesazhe pajtuese në mes të shteteve të cilat kanë qenë në konflikt me njëra tjetrën dhe tek e fundit misioni i Bashkimit Evropian është që të ndihmojë vendet, t’i tejkalojnë këto ndasi dhe të bëjnë hapa përpara në integrimin evropian. Prandaj, më vjen keq por dua vërtetë ta shpreh zhgënjimin tim dhe ka një javë që po presim një kërkim falje institucionale dhe formale ndaj Republikës së Kosovës për të sqaruar këtë incident dhe për t’u siguruar që janë marrë masat që në të ardhmen mos të kemi situata të tilla”, ka thënë ajo.
Këto komente Lushaku-Sadriu i bëri në takimin e komisonit për integrime evropane, ku i pranishëm ishte ambasadori i Bashkimit Evropan në Kosovë, Dirk Schuebel.
Takimi u mbajt i mbyllur për media.
Ndërkaq, ambasadori Schuebel pak ditë më parë është pritur edhe nga komisionet e tjera parlamentare.






