Protesta e paralajmëruar për sot në orën 11:30 para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës nuk do të mbahet.

Parlamenti Studentor i UP-së ka njoftuar se vendimi për anulimin e protestës vjen pas caktimit të një takimi me Këshillin Drejtues të Universitetit, ku do të diskutohen kërkesat e studentëve dhe thirrja e tyre për reflektim institucional.

Në njoftimin drejtuar mediave, Parlamenti Studentor ka shprehur pritjen që takimi të sjellë adresimin e kërkesave dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e tyre.

Protesta ishte paralajmëruar në shenjë pakënaqësie ndaj rektorit Arben Hajrullahu dhe mosadresimit të kërkesave të studentëve.

Pakënaqësitë u shtuan pas bojkotit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë, për shkak të evidentimit të vijueshmërisë përmes kodeve QR, si dhe deklaratave të rektorit, të cilat studentët i cilësuan fyese dhe kërcënuese.

Studentët kanë kërkuar kërkimfalje dhe dorëheqjen e rektorit Hajrullahu.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju njoftojmë se, për shkak të takimit që do të mbahet sot me Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, lidhur me kërkesat e studentëve dhe thirrjen tonë për reflektim institucional, protesta e paralajmëruar për sot, në orën 11:30, nuk do të mbahet.

Presim që ky takim të shërbejë për adresimin e kërkesave tona dhe ndërmarrjen e hapave konkretë drejt zgjidhjes së tyre.

Për zhvillimet e mëtejshme do t’ju mbajmë të informuar.