Dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, sot kryeministri I Kosovës Albin Kurti sot ka arritur në Tiranë, ku po merr pjesë në Samitin e gjashtë radhazi të Planit të Rritjes.
Kurti në një postim në facebook ka thënë se bashkë me kryeministrin Edi Rama, përfaqësuesit e rajonit dhe Komisioneren Kos, kanë diskutuar për reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.
“Ndonëse funksionimi demokratik nuk na mungoi, zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave. Tani, me stabilitet të plotë institucional, e kemi përshpejtuar dinamikën e tyre. Do t’i përmbushim të gjitha, edhe ato për të cilat fondet humbën, sepse reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ka thënë se bashkëpunimi rajonal, nuk duhet të mbetet peng I bllokadave.
“Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat tona. Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të mbetet peng i bllokadave: kush zbaton më shumë nga ajo që është dakorduar, duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së. Kërkesën për statusin e kandidatit dhe çeljen e negociatave e bëj në çdo takim, sepse qytetarët tanë e mbështesin BE-në dhe i besojnë asaj ndër më së shumti në rajon. Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, ka thënë Kurti.






