Nezir Kraki, kryesues i delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ka kërkuar në Bruksel që Kosova të trajtohet me standarde të barabarta në procesin e integrimit evropian, duke bërë thirrje edhe për njohjen e pavarësisë së saj nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap.
Gjatë sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë (APF), të mbajtur në Bruksel, në kuadër të temës “Evropa përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”, Kraki ngriti dy çështje që, sipas tij, janë thelbësore për të ardhmen evropiane të Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Në fjalën e tij, ai vuri në pikëpyetje qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në procesin e integrimit, duke kërkuar që vendit t’i aplikohen edhe kriteret gjeopolitike të sigurisë evropiane, marrë parasysh se përballet me kërcënime të ngjashme me ato të Ukrainës dhe Moldavisë.
Çështja e dytë që ngriti Kraki ishte njohja ndërkombëtare e Kosovës. Ai tha se shfrytëzoi praninë e më shumë se 30 delegacioneve për t’u bërë thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë, duke theksuar se kjo do të ishte dëshmi e respektimit të vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Gjatë diskutimit, ish-kryeministri i Belgjikës dhe aktualisht eurodeputeti, Elio Di Rupo, shprehu shpresën për një qasje të re nga pushteti i ri në Serbi, duke vlerësuar se marrëdhëniet me Beogradin vazhdojnë të jenë pengesë për integrimin e Kosovës.
“Zoti Di Ruppo tha se shpresonte nje qasje te re nga pushteti i ri ne Serbi sepse marredhenia me Beogradin e pengon integrimin e Kosoves. Per mos njohjet tha se secili vend i ka hallet e veta te brendshme dhe se ai nuk ishte ne pozite t’u tregonte atyre çka te bejne. Fiks evropian, dmth me e shty kohen pa pase guxim me zgjidh probleme reale”, ka shkruar Kraki në Facebook.






