Në kuadër të garës ndërkombëtare “European Defense Tech”, që po mbahet në Prishtinë, është prezantuar një dron i ndërtuar nga katër studentë shqiptarë, në mesin e tyre edhe i riu nga nga Kosova, Driti Sanaja.
Lajmi është bërë i ditur nga Innovation Centre Kosovo (ICK), e cila ka njoftuar se droni është zhvilluar nga Sanaja, i cili ka përfunduar studimet master në Universitetin Teknik të Mynihut në Gjermani, së bashku me tre studentë të tjerë shqiptarë që po ndjekin studimet master në të njëjtin universitet.
Prezantimi është bërë në Kazermën “Adem Jashari”, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku po zhvillohet gara “European Defense Tech”.
Kjo garë organizohet për herë të parë në Ballkan, pikërisht në Kosovë, nga Innovation Centre Kosovo, nën patronatin e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Sipas njoftimit të ICK-së, në garë janë përfshirë mbi 200 pjesëmarrës nga fusha e sigurisë, inxhinierisë, inteligjencës artificiale, mekatronikës, akademisë ushtarake dhe industrisë së mbrojtjes.
Në Prishtinë kanë ardhur garues, mentorë dhe ekspertë edhe nga Shqipëria, Gjermania, Bullgaria dhe Ukraina.






