Netanyahu kishte propozuar një marrëveshje për rotacion në postin e kryeministrit, sipas së cilës Eisenkot do të merrte fillimisht drejtimin e qeverisë, ndërsa ai vetë do të shërbente si kryeministër alternativ.

Të dy zhvilluan bisedime të dielën për të diskutuar propozimin, por negociatat dështuan shpejt për shkak të “dallimeve të konsiderueshme lidhur me çështjet thelbësore”, sipas një burimi të informuar mbi takimin.

Burimi ka shtuar se Eisenkot i kishte thënë Netanyahut se mbetet i përkushtuar ndaj të ashtuquajturit “blloku i ndryshimit”, i cili synon largimin nga pushteti të kryeministrit më jetëgjatë në historinë e Izraelit.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, partia Yashar e Eisenkotit dhe partia Likud e Netanyahut thanë se diskutimi kishte nisur me një informim mbi çështjet e sigurisë dhe më pas kishte vijuar me mundësinë e formimit të një qeverie të unitetit kombëtar, ku “të dyja palët u përpoqën të kapërcenin dallimet e mëdha ekzistuese”.

Megjithatë, këto dallime rezultuan tepër të mëdha për t'u kapërcyer.

“U vendos që negociatat mes ekipeve negociatore të mos vazhdojnë, për shkak të dallimeve të konsiderueshme lidhur me çështjet thelbësore”, i ka thënë burimi CNN-it.

Burimi ka shtuar se Eisenkot i kishte bërë të ditur Netanyahut se partia e tij Likud mund t'i bashkohej qeverisë më vonë, nëse pranonte parimet e saj themelore, përfshirë krijimin e një komisioni shtetëror hetimor për dështimet e sigurisë që paraprinë sulmet e 7 tetorit 2023.

Po ashtu, burimi ka shtuar se nuk është planifikuar asnjë takim tjetër mes tyre.

Blloku i Netanyahut ka fituar 53 vende në zgjedhjet e tetorit, ndërsa partia e Eisenkotit së bashku me tri parti të tjera kanë siguruar 48 vende. Kjo bëri që të dyja palët të mbeteshin larg shumicës në Knesset, parlamentin izraelit me 120 vende.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X të shtunën në mbrëmje, Netanyahu ka thënë se “uniteti është nevoja e momentit”.

Pasi ka këmbëngulur se duhej të drejtonte një qeveri të unitetit kombëtar ose të merrte i pari postin e kryeministrit në kuadër të marrëveshjes së rotacionit, pasi partia e tij Likud ishte më e madhja në parlament, ai ka thënë se ishte i gatshëm të “linte gjithçka mënjanë” për t'i dhënë Eisenkotit mundësinë të bëhej kryeministër i pari.

Netanyahu do të shërbente si kryeministër alternativ, megjithëse nuk bëri të ditur se sa do të zgjaste mandati fillestar i Eisenkotit.

Ai ka thënë se priste që Likud dhe partia Yashar e Eisenkotit të “nisnin menjëherë negociata të mirëfillta, të sinqerta dhe të përshpejtuara, në të cilat edhe pala tjetër të ishte e gatshme të bënte kompromise dhe lëshime të ngjashme”.

Partia Likud e Netanyahut ka dalë e para në zgjedhjet e 27 tetorit, por koalicioni i tij nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për të qeverisur.

Tashmë, Eisenkot është në pozicionin kryesor për të formuar qeverinë dhe po i afrohet mundësisë së krijimit të një koalicioni që mund ta largojë nga pushteti kryeministrin më jetëgjatë të Izraelit.

Eisenkot ka afat deri më 20 dhjetor për të formuar qeverinë, nëse kërkon zgjatjen e mandatit me dy javë. Megjithatë, ai është zotuar se do ta çojë qeverinë e re për votim në parlament që javën e ardhshme.

“Uniteti ka të bëjë me përmbajtjen dhe vlerat, jo me atë se kush merr cilin post apo kush bëhet i pari”, ka thënë Eisenkot në një deklaratë të premten.

Ai ka vënë në pikëpyetje nëse Likud ishte e gatshme të përfshihej në negociata serioze “apo thjesht të ruante pamjen e negociatave dhe të vazhdonte t'i zvarriste ato”.

Eisenkot ka nënshkruar tashmë një marrëveshje koalicioni me partinë e djathtë Yisrael Beiteinu dhe partinë e majtë Demokratët. Ai po zhvillon gjithashtu bisedime për koalicion me Judaizmin e Bashkuar të Torës, një parti ultraortodokse që për vite me radhë ka mbështetur Netanyahun.