Thibaut Courtois ka rikthyer në vëmendje mungesën e vlerësimit për portierët në garën për Topin e Artë.

Gardiani belg i Real Madridit, në konferencën për shtyp para ndeshjes me PSV-në, pranoi se është e vështirë për një portier të fitojë këtë çmim, pavarësisht paraqitjeve të jashtëzakonshme, përcjell “Gazeta Express”.

“Ka pasur portierë që kanë ndryshuar mënyrën e lojës. Neuer ishte afër në vitin 2014, ndërsa mendoj se edhe në vitin 2022 duhej të isha më lart në renditje. Benzema e meritonte çmimin, por unë mendoj se duhej të isha më lart. Nuk e di çfarë sezoni duhet të bëjë një portier për ta fituar Topin e Artë”, deklaroi Courtois.

Belgu foli edhe për situatën e Real Madridit, duke vlerësuar se përmbysja ndaj Romës ishte vendimtare për ndryshimin e gjendjes psikologjike të skuadrës.

Ai i komentoi edhe fishkëllimat e tifozëve në “Bernabeu”, duke thënë se kërkesat e larta janë pjesë e madhështisë së klubit, por se ato jo gjithmonë e ndihmojnë një futbollist.

Në fund, Courtois foli edhe për Viniciusin, duke theksuar se braziliani duhet të luajë i lirë dhe të shijojë futbollin.

“Nuk mund të jesh gjithmonë në nivelin nëntë apo dhjetë. Vetëm Messi dhe Cristiano ia kanë dalë ta bëjnë këtë. Nëse duam të luftojmë për trofe, kemi nevojë për Viniciusin më të mirë”, përfundoi portieri, i cili synon ta përfundojë karrierën në Madrid.