Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të akuzuarve Naim Murselit., Granit Plaves. dhe Kushtrim Kokalles., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.3/25, të datës 06.07.2026, ndërsa përkitazi me veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre, nga neni 378 paragrafi 1, pika 1.1 të KPRK, për të akuzuarin K.K., për pjesën refuzuese sipas aktgjykimit të ankimuar, mbetet i paprekur.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, sipas aktgjykimit PKR.nr.3/25, të datës 06.07.2026, i ka shpallur fajtorë: të akuzuarin N.M., për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK, të akuzuarin G.P., për veprat penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.6 e lidhur me nenin 31 të KPRK, dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK, si dhe të akuzuarin K.K., për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 33 të KPRK, ashtu që të akuzuarin N.M., e ka gjykuar me dënim me burgim të përjetshëm, në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, nga data 01.12.2023 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, të akuzuarin G.P., e ka gjykuar me dënim me burgim të përjetshëm në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 01.12.2023 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, dhe të akuzuarin K.K., me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) vjet, në të cilin dënim i ka llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim nga data 01.12.2023 e deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, dënime këto të cilat do të ekzekutohen menjëherë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Me aktgjykimin e ankimuar është refuzuar akuza e prokurorisë, kundër K.K., për veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre nga neni 378 paragrafi 1, pika 1.1 të KPRK, me arsyetim se për veprën penale në fjalë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, prokuroria është tërhequr nga akuza, prandaj është vendosur si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.
Gjykata e Apelit, pas mbajtjes së seancës, si dhe pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, e as në nenin 394 të KPPK, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, po ashtu i njëjti është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin, ku janë paraqitur të gjitha arsyet në të cilat është bazuar gjykata e shkallës së parë, me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të akuzuarve të lartcekur.
Sa u përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe të shkeljes së ligjit penal, kolegji gjykues ka konstatuar se këto pretendime nuk qëndrojnë. Vlerëson se rrethanat dhe faktet e vërtetuara nga shkalla e parë janë të drejta dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprave penale, për të cilat të akuzuarit edhe janë shpallur fajtorë dhe janë gjykuar, prandaj nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të akuzuarve të lartcekur.
Lidhur me pretendimet ankimore përkitazi me vendimin për dënim, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, dhe atë konform dispozitave të nenit 69 dhe 70 të KPRK, ku si rrethana rënduese ka marrë shkallën e lartë të dashjes për të gjithë të akuzuarit, motivin e kryerjes së veprës penale për të akuzuarin N.M., pra i njëjti këtë e ka bërë edhe me qëllim të përfitimit material, mënyrën e kryerjes së veprës penale, për të akuzuarit N.M. dhe G.P., duke e kryer në praninë e dy fëmijëve të tani të ndjerës Liridona Ademaj, ndërsa për të gjithë të akuzuarit, se e ndjera ka qenë e moshës së re, se vepra penale është kryer ndaj viktimës së pa mbrojtur, tutje sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e kanë bërë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale të akuzuarit kanë vazhduar me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar pra në lokale, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën, andaj në prezencën e rrethanave në fjalë, të akuzuarve iu ka shqiptuar dënimin si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.
Sa u përket pretendimeve ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, përkitazi me vendimin për dënim ndaj K.K., kolegji gjykues ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, me të drejtë të akuzuarit në fjalë i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) vjet, ashtu si lejohet me dispozitat e KPRK, ngase për rastet e kryerjes së veprës penale në ndihmë, dispozita në fjalë shprehimisht parasheh se në rastet e ndihmës kryerësit të veprës penale i shqiptohet dënim më i butë se sa kryerësit të veprës penale, prandaj, në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë, edhe nuk ka pasur mundësi që të akuzuarit K.K., t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm. Po ashtu, kolegji gjykues pati parasysh edhe pretendimet ankimore se tek të akuzuarit në fjalë ka edhe rrethana lehtësuese, e që konkretisht ceken disa prej tyre, mirëpo, duke pasur parasysh pasojën e veprës penale dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, atëherë rrethanat lehtësuese në raport me ato rënduese janë irelevante, për çka, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se edhe gjykata e shkallës së parë, me të drejtë të njëjtat nuk i ka marrë parasysh dhe ka shqiptuar dënimet si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.





