Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se brenda javës do të procedohet në Kuvend, nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
Çitaku pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka thënë se ekspertët janë duke i bërë ndërhyrjet e fundit në këtë ligj dhe sipas saj, pritet që drafti i parë të pranohet sot.
“Dua të ju njoftoj se brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvendin e Kosovës nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme se kjo nismë gëzon unitetin e plot politik dhe qytetar. Kjo nismë nuk është vetëm e PDK-së, por kjo nismë ka vulën e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Çitaku.
Çitaku ka shtuar se do të jenë të hapur brenda punës që do të bëhet brenda komisioneve përkatëse në legjislativin e vendit.
Ajo ka përsëritur se kjo nismë ligjore do të jetë vetëm njëra nga elementët që do të përdoret për betejën e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Synimi ynë është që shumë shpejt, brenda një afati sa më të shpejt, ky ligj të kalojë në të dy leximet.”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se PDK-ja dhe VV-ja janë kundërshtare politike dhe kanë mospajtime të thella ndërmjet vete, por sipas saj, këto dy parti i bashkon vlera e UÇK-së.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër ka thënë se është në pritje që ekspertët ta përfundojnë draftin e ri të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Drafti i ri i kësaj nisme do të bëhet pas dakordimit që është arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, javën e kaluar.
Pikërisht, për shkak të këtij pajtimi, ishte shtyrë edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, ku kjo nismë ligjore ishte si pikë e rendit të ditës.
“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë”, ka thënë Kurti gjatë së hënës, pas ceremonisë solemne të shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave pritet të procedohet një nismë e re lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi ligji ishte kthyer në Kuvend nga presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula.






