SPS e vazhdon traditën e familjes kriminale, nipi i Millosheviqit bëhet anëtar i Këshillit Drejtues (Video)

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se në mbledhjen ceremoniale të Këshillit Drejtues të SPS-it do të propozojë që në atë komision të përfshihet edhe nipi i Sllobodan Millosheviqit, Marko Millosheviq.

Daçiq u tha gazetarëve përpara seancës së Këshillit Drejtues të SPS-it se ishte “dëshira e tij e madhe” të merrej me problemet sociale.

Ai theksoi se është i lumtur që gjendet në shoqërinë e miqve të dashur dhe bashkëluftëtarëve të partisë.

Për të, siç thotë, ideja e SPS-së është e “përjetshme” dhe se i vjen mirë që “ekziston në vazhdimësi”, është i bindur se kjo ide “do të vazhdojë të ekzistojë”.

Marko Millosheviq i riu tha se do të bëjë të pamundurën për të kontribuar në SPS dhe shoqëri dhe theksoi se e drejta publike ndërkombëtare është dashuria e tij e madhe, prandaj Serbia do të sjellë zgjidhjen më të mirë të mundshme në atë fushë.

Kujtojmë, kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, tha se pjesëmarrja e socialistëve në Lëvizjen Popullore për Shtetin do të ishte e mirë, fillimisht për Serbinë, e më pas për SPS-në, për të cilën bashkëbiseduesit besojnë se Daçiq dhe partia e përmendur janë të shqetësuar vetëm për të mbetur në pushtet dhe për ta nuk ka rëndësi se me kë do ta ushtrojnë atë.

Sllobodan Millosheviq vdiq në burg, derisa pritej gjykimi i tij për krime të luftës dhe gjenocid në Kosovë. Millosheviq njihet edhe si “kasapi i Ballkanit”, pasi që nën diktaturën e tij u zhvilluan luftërat në Ballkanin Perëndimor ku mbetën të vdekur qindra mijëra boshnjakë, shqiptarë, kroate, etj.