Zoran Angjelkoviq sot është përjashtuar zyrtarisht nga Partia Socialiste e Serbisë e udhëhequr nga Ivica Daçiq.
Angjelkoviq ishte përjashtuar nga partia më 25 prill të këtij viti, dhe këtë vendim njëzëri e ka konfirmuar sot Komisioni Statutar i SPS-it, shkruan Ballkani.info.
Mediat e pavarura serbe kishin raportuar se Angjelkoviq do të përjashtohet nga SPS-i, sepse më 17 dhjetor ka mbështetur listën e Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe në këtë mënyrë ka shkelur statutin e partisë.
Fjala vjen, gjatë fushatës së dhjetorit, Angjelkoviq u paraqit edhe në emisionin televiziv në prezantimin e listës “Serbia nuk duhet të ndalet” para zgjedhjeve, por edhe në kuvendin final të progresistëve. Nga ana tjetër, ai nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjet e SPS-it.
Ai më parë ka qenë anëtar i Bashkimit të Komunistëve, kryetar i organizatave rinore lokale dhe rajonale dhe më vonë u bë sekretar i Bashkimit të Rinisë Socialiste të Serbisë dhe sekretar ekzekutiv i KQ të Serbisë. Ai ishte kryetar i klubit parlamentar të SPS-it dhe nënkryetar i Komisionit të SPS-it për Kosovën.
Në qeverinë e Mirko Marjanoviqit ishte ministër për Sport dhe Rininë, ndërsa në vitin 1998 emërohet nga Millosheviqi personi i parë i të ashtuquajturit Këshill i Përkohshëm Ekzekutiv për Kosovën, pra gjatë periudhës së luftës.
Kujtojmë se Angjelkoviq është emëruar dje nga Qeveria e Serbisë si drejtor i ri i Postës së Serbisë. /Ballkani.info/







