“Spoti publicitar” i Bashës: Ja faktet për të cilat Rama duhej të ishte dorëhequr, tradhtoi Kosovën (VIDEO)

Përmes një videoje që i ngjan më së miri një spoti publicitar të fushatave elektorale, kreu i opozitës Lulzim Basha ka theksuar edhe njëherë atë që ai pretendon prej kohësh tashmë: rënien e pushtetit të Edi Ramës.

Basha kërkoi të japë mesazhin se Edi Rama nuk ka më mundësi të vazhdojë të drejtojë Shqipërinë, bashkë me krimin siç pretendon ai, teksa thotë se opozita është e vendosur të mos bëjë asnjë hap pas për “çlirimin e Shqipërisë nga e keqja”.

Në videon e publikuar në rrjetin social Facebook, Basha rendit faktet, sipas tij, që do të duhej ta kishin detyruar një kryeministër normal të jepte dorëheqjen dhe të largohej pa kosto për vendin. Fakte që lidhen me marrjen e pushtetit përmes blerjes së votave me ndihmën e krimit dhe parave të korrupsionit.

Basha përmend rreth 20 raste, kur Rama duhej të ishte larguar, duke nisur nga pakti me krimin te keqqeverisja, dhunimi i qytetarëve dhe korrupsioni.

“Pushteti i Edi Ramës ka rënë. Ai duhet të ishte larguar: Kur i dha pushtet kriminelëve! Kur Elvis Roshi doli trafikant e përdhunues! Kur Saimir Tahiri doli trafikant dhe blerës votash! Kur Shqipëria u kthye në hambar droge! Kur u zbuluan koncesionet e hajdutërisë! Kur Fatmir Xhafaj mbrojti drogën me shtet! Kur fshehu 30 milionë euro në Amerikë! Kur ekonomia u kap nga paratë e krimit! Kur vodhi votat me dakon dhe Gjiknurin! Kur shkatërroi pa ligj shtëpitë e njerëzve! Kur helmoi fëmijët me gaz lotsjellës! Kur bllokoi rrugën drejt Europës! Kur grabiti me oligarkët çdo pasuri publike! Kur tradhtoi integritetin e Kosovës! Kur zhyti 300 mijë shqiptarë në skamje! Kur mbylli gjykatat! Kur ja dorëzoi shtetin banditëve”, shkruhet në titrat që shoqërojnë videon.