Sportistja shpëton mrekullisht, nxirret e gjallë pas tre ditëve nën rrënoja në Turqi

Peshëngritësja Busra Kayadibi është nxjerrë mrekullisht e gjallë nga rrënojat të enjten, pas tri ditëve e ngujuar nën rrënojat e tërmetit shkatërrues që e goditi Turqinë të hënën herët.

Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, i cili i ka vrarë mbi 17 mijë njerëz në të dy vendet.

Klubi i peshëngritjes në Gaziantep, njërin nga 10 provincat turke që u goditën rëndë nga tërmeti, njoftoi se anëtarja e klubit Busra Kayadibi dhe motra e saj janë nxjerrë të gjalla pas tri ditëve të ngujuara nën rrënoja.

“Klubi Gaziantep Metropolitan Belediyespor njofton se atletja Busra Kayadibi dhe motra e saj janë shpëtuar nga rrënojat pas tri ditëve”, thuhet në njoftimin e klubit të saj.

Klubi i peshëngritjes njoftoi se Busra është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se trajtimin do ta vazhdojë në spital bashkë me motrën e vet.

“Atletja jonë është në gjendje të mirë dhe mjekimin do ta vazhdojë në spital. Ne i urojmë asaj dhe motrës së saj shërbim të shpejtë.”

Tërmeti i tmerrshëm, i cili goditi në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, i ka prekur edhe shumë sportistë në Turqi.

Deri tani raportohet për disa sportistë të vdekur dhe shumë të tjerë të lënduar gjatë tërmetit.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 14 mijë, sipas autoriteteve vendase.

Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 3 mijë njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.

Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.

Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.

Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.

Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.

Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.