Sponsor “extra large” në fanellë, Huddersfieldi rrezikon gjobë të majme

Sezoni i ri futbollistik 2019-2020 ende nuk ka nisur, megjithatë në Angli kanë shpërthyer polemikat.

Bëhet fjalë për Huddersfieldin, klub që nuk mundi të mbijetonte në Premier League e që në këtë sezon do të luajë në Championship.

Motivi i polemikave, aspak i zakonshëm, është sponsori mbi fanellë. Janë thyer rregullat e Federatës së Futbollit si dhe është shkaktuar zemërim te tifozët.

Sipas normave të FA-së, hapësira maksimale e rezervuar për sponsorin në fanellë është 250 centimetra katrorë. Por kompania e basteve, partner komercial i Huddersfieldit e ka shkelur hapur këtë rregull me një shirit diagonal të gjerë. Në momentin që skuadra e Huddersfieldit hyri në fushë në miqësoren me Rochdale, shumë tifozë nisën të qeshnin e të tjerë kontestuan drejtuesit.

Klubi anglez rrezikon një gjobë të majme, por ndërkohë mund t’i shesë uniformat në dyqanet zyrtare, sepse rregullat e FA-së përfshijnë vetëm fanellat që vishen në fushë.