Spinazzola do të jetë në “Wembley” për ta përkrahur Italinë

Leonardo Spinazzola do të jetë i pranishëm në finalen kundër Anglisë që do të luhet të dielën.

“Kënga për mua, emocionet. Tani do të shkoj në ‘Wembley’ gjithashtu”. Me këtë deklaratë, Spinazzola e ka konfirmuar prezencën e tij në finalen e Kampionatit Evropian.

Në këtë finale, Italia do ta kërkojë titullin e dytë të Evropës, pasi të parin e ka fituar në vitin 1968. Anglia nga ana tjetër, do të luajë për herën e parë në finalen e kësaj ngjarjeje të madhe të futbollit.

“Ndeshja do të jetë 50-50. Ata janë të fortë, me individ shumë të mirë dhe një bankë rezervë me plot të rinj. Kanë mbrojtje të fortë, por jemi grup i fortë po ashtu dhe mund t’ia dalim. Mezi pres t’u bashkohem bashkëlojtarëve në Londër”, ka thënë Spinazzola.

Mbrojtësi i krahut të majtë ka folur për emocionin që e ndjeu kur bashkëlojtarët e tij ia dedikuan një këngë pasi eliminuan Spanjën në gjysmëfinale.

Pas finales së Evropianit, Spinazzola do ta vazhdojë rikuperimin e tendinës së Akilit.

“Gjëja më e rëndësishme është që të ngrihemi. Nuk duhet asnjëherë të ndalemi së besuari në gjëra të mira”, përfundoi ai.