Spektakël golash në Kupë, Atalanta e shqiptarëve shpreson në finalen e madhe

Atalanta është rikuperuar dhe barazuar dy herë në transfertën ndaj Fiorentinës të përfunduar me rezultatin final 3-3, në takimin e parë gjysmëfinal, të vlefshëm për Kupën e Italisë.

Zikaltërit e shqiptarëve, Berisha e Gjimshiti kanë shpërdoruar kështu një shans të konsiderueshëm për të hedhur hapin e rëndësishëm drejt finales, ku nëse do të kualifikohen, do të gjejnë Milan ose Lazio, në garën për trofeun e Kupës së Italisë.

Ndërkohë që në këtë takim të parë, Berisha ishte përfaqësuesi i vetëm kuqezi në fushë, në ndeshjen e dytë që do të zhvillohet në shtëpinë e zikaltërve pritet rikthimi i Berat Gjimshiti, i skualifikuar në transfertën e të mërkurës.

Një ndeshje plot emocione me Atalantën që ka kaluar në avantazh të dyfishtë në vetëm 2 minuta, kur fillimisht në të 16’ Gomez ka kaluar zikaltërit në epërsi pas asistit të Ilicic, ndërsa dy minuta më pas, në të 18’ ishte Pasalic ai që dyfishoi avantazhin pas një tjetër shërbimi të Ilicic.

Epërsi kjo e Atalantës që është shfuqizuar me të njëjtën shpejtësi dhe efiçencë nga Fiorentina, që në të 33’ ka ngushtuar shifrat në 1-2 falë golit fantastik të kapitenit Chiesa. Ky i fundit ka festuar kështu me gol ndeshjen e tij të 100 me Fiorentinën, teksa ka regjistruar golin e 6 në 3 ndeshje të Kupës së Italisë. Vetëm 3 minuta më pas, kur ora shënonte minutën e 36’ të takimit, Benassi ka barazuar shifrat në 2-2.

E njëjta grintë dhe produktivitet i ngjashëm edhe në fraksionin e dytë të lojës, me Atalantën që ka rivendosur epërsinë në të 58’ me De Roon, ndërsa në të 79’ Fiorentina ka rivendosur ekuilibrat në 3-3 me Muriel, falë shërbimit të kapitenit Chiesa, vendimtar në këtë ndeshje.