Spanjolli Cabanas drejton Kosovën në ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë

Trajneri i suksesshëm spanjoll, Javier Cabanas, do ta drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll (meshkujt) në dy ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues për “Euro 2022”, ka njoftuar të mërkurën Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Kosova më 4 nëntor luan ndaj Malit të Zi në Podgoricë, kurse më 8 nëntor e pret Suedinë në Prishtinë.

Cabanas aktualisht e drejton kampionin e Kosovës në hendboll, Besa Famgas.

“Cabanas është vetëm zëvendësues i seleksionuesit Taip Ramadani për këto dy ndeshje. Vendimin që Cabanas të zëvendësojë Ramadanin e ka marrë presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini. Ramadani vazhdon të jetë seleksionues i Kosovës dhe do të emërojë ekipin për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Por për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, Ramadani e ka të pamundur të udhëtojë nga Australia, ku jeton, për në Kosovë”, thuhet në njoftimin e FHK-së.