"Derby d'Italia"

Spalletti synon vetëm fitoren ndaj Juventusit

Interi futet në “Derby d’Italia” me 11 pikë më pak se Juventusi, por trajneri i “Nerazzurëve”, Luciano Spalletti mendon vetëm për fitoren.

Spalleti është i vetëdijshëm se mbyllja e diferencës me skuadrën e Allegrit është një mision i vështirë, megjithatë 55 vjeçari e sheh derbin si një mundësi të mirë për t’u zhvilluar.

Para 1 muaji, Interi kishte një seri fantastike në Serie A prej 7 fitoreve rresht por deklasimi 4-1 ndaj Atalantës u përcoll me fitoren 3-0 kundër Frosinones dhe barazimin 2-2 me Romën.

“Ata do të humbasin nëse do të mendojnë vetëm se si të na ndalin. Ne luajmë për të mposhtur secilën skuadër, por tani besoj edhe më shumë. Skuadra po rritet secilën ditë dhe po kompletohet me kalimin e kohës në aspektin e qasjes. Së fundmi kemi pasur disa ndeshje të mira. Ka një distancë të madhe me ta dhe lajmi i keq është se do të jetë e vështirë t’i arrijmë, por lajmi i mirë është se kjo ndeshje na ofron mundësinë për të bërë hapa para. Duhet të mendojmë për faktin se skuadrat me të cilat përballemi nuk janë shumë të forta dhe nuk munden të na lëvizin nga objektivat tonë. Nga pikëpamja ime ne nuk dorëzohemi para Juventusit. Gjërave iu vjen fundi kur ndalon së provuari dhe besuari për kualitetet tua, jo kur e humb një ndeshje”, tha Spalleti.

Trajneri i Interit vuri theksin te aftësia e Juventusit për t’i joshur futbollistët më të mirë të klubeve rivale në Serie A, duke përmendur rastet e Pjanic nga Roma, Higuain nga Napoli apo edhe Cancelo nga Interi, derisa përmendi edhe rëndësinë e transferimit të Cristiano Ronaldos.

Spalleti konfirmoi se Nainggolan dhe Dalbert do të jenë dy mungesat e vetme të Interit për ballafaqimin e zjarrtë kundër “Bianconerëve”.